Në ambientet e Bibliotekës së Qytetit të Preshevës, Shoqata Kulturore “Dituria” ka organizuar një event të veçantë me pjesëmarrjen e disa personaliteteve të shquara nga bota e biznesit dhe inovacionit.
Eventi ka marrë një shkëlqim të veçantë me prezencën e personaliteteve të njohura si Shpend Lila i Innovation Centre Kosovo, Ardian Hoxha nga Keiretsu Forum SEE, Ermal Sadiku nga Linkplus, Zana Tabaku nga Appdec, Donjeta Sahatciu, Nënkryetare e Komunës së Prishtinës dhe Fitim Adili, Software Entwickler.
Në këtë takim të veçantë, të ftuarit kanë ndarë mendimet e tyre mbi rrjetëzimin, mundësitë, vizionin, idetë e reja, nismat e reja, fuqizimin, inovacionin dhe potencialin në kontekstin lokal të Preshevës.
Në përfundim të këtij diskutimi frytdhënës, Shoqata Kulturore “Dituria” ka bërë një njoftim të rëndësishëm. Personalitetet e pranishme nga fusha e teknologjisë dhe inovacionit, Shpend Lila, Ardian Hoxha, Ermal Sadiku, Zana Tabaku, Donjeta Sahatçiu dhe Fitim Adili, kanë ofruar shumë mundësi për zhvillimin e rinisë së Luginës së Preshevës.
Një lajm i shquar është zotimi i Komunitetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) nga Kosova për të ofruar bursa të plota për trajnime profesionale në programim dhe fushat përcjellëse për të rinjtë e Luginës së Preshevës. Në thelb të kësaj përpjekjeje është vullneti për të përmirësuar aftësitë e të rinjve dhe për t’u përgatitur për sfidat e industrisë së teknologjisë.
Gjithashtu, është prezantuar plani për ofrimin e bursave vjetore për fëmijë në American School of Kosova, si dhe zgjerimi i programit “Junior Geeks” në shkollat e Luginës nga viti 2024. Edicioni 2024 i “Java e Vajzave në TIK” do të sjellë më shumë mundësi për vajzat e Luginës për të shfrytëzuar potencialin e tyre në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Në përfundim të diskutimeve, Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatciu, ka sjellë një dhuratë modeste, por mbresëlënëse: një abetare të ilustruar të Prishtinës. Gjithashtu, Koordinatori i Shoqatës Kulturore “Dituria” ka dhuruar një mirënjohje ndaj Innovation Centre Kosovo (ICK) si shenjë falenderimi për kontributin e tyre në organizimin e këtij eventi madhështor.
Ndërkohë, falënderojmë çdo pjesëmarrës në këtë event, si dhe institucionet dhe organizatat e mbështetjes si Komuna e Preshevës, Biblioteka e Qytetit, Zyrja për të Rinj në Preshevë dhe Shtëpia e Kulturës. Kontributi i tyre ka ndihmuar në suksesin e kësaj ngjarjeje dhe ka rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e diskutimeve mbi inovacionin dhe zhvillimin në rajon.
Preshevë,
16.12.2023